Një qytetar i drejtohet emisionit “Stop”, për të treguar eksperiencën e tij të pakëndshme me një gjobë për drejtim automjeti. 

Pas 2 muajsh, ai është njohur me penalitetin, që kishte kapur vlerën 409 mijë Lekë të vjetra, apo 75% të pagës së tij.

“Ju drejtova emisionit “Stop” pasi kur kam ikur në datën 17 Maj në Bilisht, afër Neviçishtit kam marrë një gjobë nga makina inteligjente. Problemi është se nuk jam njoftuar për këtë gjë. Hap rastësisht e-Albanian dhe shikoj që kam marrë një gjobë rreth 400 mijë lekë. Gjoba ka qenë 300 mijë lekë. Nga kamatat ka vajtur rreth rreth 409 mijë lekë të vjetra. Pse duhet të paguaj unë një gjobë që mund ta paguaja 150 mijë lekë nëse do isha informuar në kohë. Si mua janë dhe shumë të tjerë. Thjesht na informoni në kohë. 409 mijë lekë të vjetra është 75% e rrogës sime. E kupton që i bie të paguash një rrogë për gjobën që nuk na njoftojnë. Nuk do hap e-Albanian ditë për ditë që të shikoj sa gjoba kam. Sikur nuk na lajmërojnë në kohë kastile që të rritet kamata të paguajmë më shumë”, tha denoncuesi.

Denoncuesi thotë, se të paktën duhet të ishte njoftuar për masën ndëshkimore, pasi nuk mund të kontrollojë çdo ditë portalin e-Albania.

Për këtë problem “Stop” bisedoi me ekspertët Artur Sulçe dhe Gëzim Hoxha. Ata shprehen, se e-Albania nuk mund të jetë e vetmja mënyrë, për mësuar gjobat, pasi qytetarët kanë adresë.

Sipas tyre, edhe kur merr gjobë jashtë vendit, të vjen shkresa në adresë, gjë që nuk ndodh në Shqipëri.

Gjoba duhet t’i shkojë qytetarit në shtëpi, veçanërisht ku bëhet me sistemet e përparuar sot bashkë me fotografinë që qytetari të bindet. Qytetarit i humbet një e drejtë, ai ka të drejtë ta ankimojë gjobën. Por kur i shkon, mbaron afati”, shprehet një nga ekspertët./tvklan.al