Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë të larta pas vendimit të qeverisë kosovare për të tatuar me 100% të vlerës mallrat serbe. Kryeministri Ramush Haradinaj u dërgoi ambasadorëve të huaj dhe Bashkimit Europian letra, ku sqaronte vendimin ekstrem të qeverise se Prishtinës.

“Është një vendim i Kosovës, sovrane në mbrojtje të interesit të vet, por është i argumentuar pse e bëjmë këtë, kryesisht është mosrespektimi i marrëdhënieve tregtare Kosovë-Serbi, nga Serbia duke vu bllokadë tarifore për çdo produktet tona, shtuar këtu edhe agresivitetin ndaj Kosovës”,

tha Kryeministri Haradinaj.

Më herët gjatë seancës parlamentare, Haradinaj paralajmëroi se masat do të qëndrojnë në fuqi deri kur Serbia të njohë Kosovën. “

Derisa Serbia s’e njeh Kosovën shtet të pavarur dhe sovran nuk duhet me i heq”,

theksoi Kryeministri i Kosovës.

Këtë deklaratë të Haradinajt e komentoi Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç gjatë një takimi me deputetët serbë të Kosovës në Beograd, të cilët nuk morën pjesë në seancën parlamentare në Prishtinë.

Vuçiç tha:

“Kjo deklaratë nuk ka dalë nga koka e Haradinajt. Ai është vetëm i pakujdesshëm, që e solli para kohe në publik. Por u them se duhet të përgatiten për një betejë të gjatë të vështirë, pasi pavarësia nuk do të njihet”.

Vendimi i qeverisë kosovare hyri në fuqi menjëherë. Siç duket edhe në këto pamje të publikuara në mediat kosovare, asnjë kamion me mallra nuk hyri nga Serbia. Ndërsa disa autoblinda të Policisë së Kosovës u shfaqën në Mitrovicën e Jugore, për të qenë të përgatitur për çdo tensionim të situatës.

Tv Klan