Lufta tregtare e shpallur nga Donald Trump do të jetë tepër e kushtueshme për partnerët tregtarë të Shteteve të Bashkuara. Ministrja gjermane e ekonomisë Brigitte Zypires paralajmëron se rritja e tarifave të importit nga Shtetet e Bashkuara për çelikun dhe aluminin ve në rrezik mijëra vende pune ne Gjermani, po ashtu edhe rritjen ekonomike të lokomotivës financiare të Europës.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Zypries tha se Trump po rrezikon ekonominë e lirë globale. Ndërsa paralajmëroi se nëse shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk heq dorë nga kjo linjë, Gjermania do ti kërkojë kundërmasa në bllok nga vendet antare të Bashkimit Europian, të cilat Trump do ta ketë të pamundur ti thyejë. Zërit të vendeve europiane i është bashkuar edhe Japonia, një tjetër aleate e ngushtë e amerikanëve. Edhe vetë industrialistët amerikanë i druhen rritjes së kostove të produkteve të tyre, që varen drejtpërdrejtë nga importi i metaleve.

Vendosjen e tarifave të larta për importin e çelikut dhe aluminit, Trump e konsideron si një përgjigje ndaj barrierave të shumta që europianët kanë vendosur në tregtinë e lirë me Shtetet e Bashkuara. Barriera prej të cilave ekonomia amerikane rezulton e humbur. Presidenti amerikan tha se nëse Brukseli nuk i rishikon këto barriera, ai paralajmëroi vendosjen e tarifave të larta edhe për importin e automjeteve europiane në Shtetet e Bashkuara.

Tv Klan