Interneti dhe përhapja e tij e madhe solli edhe një sërë ngjarjesh me një dinamikë për të cilën ishim të pamësuar. Facebook, Twitter, YouTube, vërtet shpërndajnë informacion pakufi dhe në çast, por në të njëjtën kohë mbartin me vete dhe dukuri apo fenomene, si profilet e falsifikuara të njerëzve të famshëm, ndjekës të rremë në Twitter, që nuk ekzistojnë, apo milion klikime të blera për disa qindra euro.

Ndershmëria e garës në internet është një çështje që gjithmonë ka qenë pjesë e debateve, pasi fakt është që këto klikime në parim, mund të shtohen apo pakësohen në varësi të qëllimit. Por për cilat arsye, dikush mund të shtojë apo pakësojë klikimet në YouTube? A lidhet përgjigjja e kësaj pyetjeje me cilësinë e këngës, apo me suksesin e këngëtarit?

Përveç garës që zhvillohet në skenat e festivaleve, përveç garës që zhvillohet në studiot televizive ka një garë tjetër. Është ajo që zhvillohet në web-et e specializuara dhe që lidhet me shikueshmërinë, ndjekjen e këngëtarëve dhe këngëve të tyre. Por kjo garë ka filuar të ketë edhe truket e saj.

Për të diskutuar për blerjen e famës dhe klikimet në internet, në emisionin “Opinion” ishin të ftuar Aurela Gaçe, Rosela Gjylbegu, Vesa Luma, Dalina Buzi, Xhensila Myrtezaj, Ardit Gjebrea, Pirro Çako, Blendi Salaj./tvklan.al