Partizani e Tirana me formë të njëjtë, fitorja i lë në garë për titull

Partizani-Tirana është kryesfida e javës së 33-të në Kategorinë Superiore. Derbi i kryeqytetit programuar për t’u luajtur të enjten e 13 majit pritet të vendosë shumë për fatet e sezonit të dy skuadrave, që katër javë nga fundi mbeten në garë për titullin kampion në Superiore. Një duel që vjen në momentin më të mirë për ekipet, pasi prej 8 takimesh, as Partizani dhe as Tirana nuk humbasin. Partizani ka koleksionuar katër fitore dhe katër barazime gjatë kësaj periudhe, duke u pozicionuar në vendin e dytë me 58 pikë, një më pak se Teuta kryesuese.

Nga ana tjetër, Tirana e Orges Shehi ka fituar 5 dhe barazuar tre nga 8 sfidat e fundit, një ecuri fantastike që i ka ngjitur bardheblutë në vendin e pestë me 53 pikë. Humbja e këtij 90 minutëshi prish balancat sa i përket objektivave për të dy skuadrat, pasi do i nxirrte totalisht nga gara për titull.

Sfida është programuar për t’u zhvilluar në stadiumin “Air Albania” në orën 19:00, duel ku do mungojë ngrohtësia në shkallët e stadiumit, pasi do luhet pa prezencë tifozësh.

Klan News