Mes trishtimit për ndarjen nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Bujar Hudhri, botuesi i Ismail Kadaresë rrëfeu në një intervistë në Klan News për vështirësitë, por edhe kënaqësinë e një bashkëpunimi 30-vjeçar.

Hudhri tregon disa nga cilësitë e shkrimtarit të madh, të panjohura për syrin e lexuesit.

Bujar Hudhri, botuesi i Ismail Kadare: Kadareja ishte detajist, kishte perfeksionin dhe ajo që ishte tipike për atë, ishte niveli i lartë, që në veshja, që në paraqitja, në fjalët që zgjedh, në nivelin e lartë artisti, në gjithçka.

Botimi i kolanës me 20 vëllime, është një nga momentet e bukura që shkrimtari e ka pritur me kënaqësi.

Bujar Hudhri, botuesi i Ismail Kadare: Kur bëmë kolanë me 20 vëllime më merr në telefon dhe më thotë: ‘Bujar unë jam rritur mes librave të bukur, por nuk ka libër më të bukur se kjo.’ Ishte vlerësimi më i madh që mund t’i bëhej.  

Raporti me lexuesit ishte në qendër të vëmendjes së shkrimtarit

Bujar Hudhri, botuesi i Ismail Kadare: Ajo që unë kujtoj me atë është vëmendja ndaj lexuesit. Më ka ngelur në mendje kjo gjë sidomos në panairet e librave. Ai ishte i vëmendshëm që lexuesi duhet të ishte i kënaqur me librat, lexuesit të mos i mungojë asgjë, e respektonte dhe e nderonte. Kënaqësia e tij më e madhe ishte lexuesi.   

Teksa botonte librin e Helena Kadaresë “Kohë e pamjaftueshme”, Hudhri tregon se ishte habitur me faktin se Kadareja i madh ia kishte mbushur mendjen bashkëshortes se ai duhet të ikte i pari nga kjo botë.

Bujar Hudhri, botuesi i Ismail Kadare: Më tronditi. Mbase ishte e hera e parë që në letrat shqipe ti mund të gjej një dëshmi të tillë, një rrëfim të tillë, që bashkëshortja në këtë rast është shkrimtare e nderuar si zonja Kadare, flet hapur për vdekjen.

Hudhri tregon edhe momentet e fundit të shkrimtarit

Bujar Hudhri, botuesi i Ismail Kadare: Ai në fakt ishte dobësuar fizikisht dhe ishte pa fuqi ç’është e vërteta dhe shpesh e thoshte, por unë nuk e pranoja, nuk mund të ikte pa ne në krah, por e kishte shumë të vështirë të ishte në mes të njerëzve.  

Botuesi thotë se Kadare nuk i përkiste vetëm Shqipërisë, por edhe botës. E pas ikjes së tij fizike ajo që mbetet si një pasuri e madhe është vepra e tij.

Klan News