Një person mbeti i vrarë me armë zjarri pasditen e kësaj të diele në Kavajë. Sipas të dhënave të para të gazetarit Besar Bajraktaraj, viktimë nga të shtënat ka mbetur Arian Gosa, 48 vjeç vëllai i Edmond Gosës.

Në foto viktima Arian Gosa dhe babai i tij

Po sipas gazetarit, viktima po pinte kafe me të atin në një lokal, kur një person e qëlloi me një plumb pistolete në kokë. Autori u largua më pas në këmbë (Lexo më shumë).

Në foto autori i dyshuar Habib Rexha, 31-vjeç

Ai është identifikuar si Habib Rexha, 31-vjeç dhe është vëllai i Altin Rexhës, 43-vjeçarit që u vra më 29 Mars të këtij viti pas sherrit me Armand Gosën, vëllain e viktimës së sotme. Policia ka vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 000 eurosh, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit (Lexo më shumë).

“Në vijim të veprimeve të kryera nga grupi hetimor, pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe verifikimeve të kryera, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të vrasjes së shtetasit Arian Gosa, i cili është shtetasi Habib Rexha, 31 vjeç. Policia e Shtetit fton qytetarët që të japin informacion për autorin e kësaj ngjarjeje dhe vendos shpërblim 10 000 euro, për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në kapjen e autorit. Policia e Shtetit vendos në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 84 59999, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi”, tha policia në një njoftim.

(Gazetari Besar Bajraktaraj sjell detajet e para nga ngjarja e rëndë)

Merr kështu përmasa edhe më tragjike përplasja e ndodhur 2 muaj më parë, ku një sherr mes dy 43-vjeçarëve çoi në vdekjen e të dyve (Lexo më shumë).

Kujtojmë se Edmond Gosa i cili njihej edhe me emrin Armand Gosa mbeti i vrarë më 29 Mars të këtij viti po në Kavajë, pas një konflikti me Sali Rexhën, i njohur po ashtu me emrin Altin Rexha. Ngjarja në fjalë ndodhi në një lokal dhe dy 43-vjeçarët vranë njëri-tjetrin.

Gosa e goditi me thikë, ndërsa Rexha e qëlloi me armë.

Sherri mes palëve kishte nisur në verën e vitit 2022 në një lokal në Kavajë. Armand Gosa kishte ofenduar Altin Rexhën me origjinën duke i thënë se “malokët nuk kanë punë në Kavajë”. Prej atij momenti, Rexha kishte marrë një armë pa leje dhe e mbante për vetëmbrojtje (Lexo më shumë). 

Po ashtu, të dy vëllezërit Gosa kanë qenë të dënuar për një vrasje të ndodhur në vitin 2012. Në atë kohë, ata masakruan me thikë 41-vjeçarin Gentjan Gjuzi. Ngjarja ndodhi po në një lokal në qytetin e Kavajës. Sherri në atë kohë lindi për një shikim dhe solli për pasojë humbjen e jetës së babait të dy fëmijëve, 41-vjeçarit Mentor alias Gentjan Gjuzi (Lexo më shumë).

(Në video, pamjet e ngjarjes së rëndë me dy të vrarë të ndodhur më 29 Mars në Kavajë, publikuar në emisionin Uniko)

(Gazetari Besar Bajraktaraj raporton nga vendi i ngjarjes)