Shtetet e QUINT-it në Kosovë i kanë bërë thirrje autoriteteve atje që të tërhiqen nga veriu pas tensioneve të ndodhura ditën e sotme.

Siç raportojnë mediat në Kosovë, pesëshja e vendeve që përbëhet nga SHBA-ja, Franca, Italia, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë bërë thirrje që të shtensionohet situata. Për këtë ata kërkojnë që të ketë një koordinim të ngushtë mes autoriteteve të Kosovës me ato të EULEX-it dhe KFOR-it.

“Ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Kosovës që menjëherë të tërhiqen, të shtensionohen dhe të koordinohen ngushtë me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në reagim.

Po ashtu QUINT-i shprehet i shqetësuar me ngritjen e nivelit të gatishmërisë së ushtrisë serbe në kufi me Kosovën.

“Jemi të shqetësuar nga vendimi i Serbisë për të ngritur nivelin e gatishmërisë së forcave të saj të armatosura në kufirin me Kosovën dhe u bëjmë thirrje të gjitha palëve për përmbajtje maksimale, duke shmangur retorikën nxitëse”, thuhet në reagim.

Ata po ashtu e kanë dënuar edhe sulmin e EULEX-it në veri të vendit gjatë ditës së sotme.

Të shtëna armësh, përplasje me policinë dhe gaz lotsjellës. Kjo ishte situata para selive të zyrave të komunave me shumicë serbe paraditen e së premtes kur duhet të merrnin detyrën krerët e rinj të këtyre institucioneve.

Serbët ishin mbledhur përpara komunës së Zveçanit, për të ndalur hyrjen e një kryetari shqiptar, por janë përplasur me policinë. Situata është përshkallëzuar duke shënuar edhe djegien e një prej automjeteve të policisë.

Por përveç serbëve që qëndronin para godinës së komunës, një grup tjetër personash qëndronin në hyrje të Zveçanit. Pas disa orësh protestuesit u larguan ndërsa kreu shqiptar i komunës mundi të hynte në zyrë.

Autoritetet njoftuan për disa policë të lënduar. Tensione ka pasur edhe në komunën e Leposaviçit. Ende nuk raportohet për ngritje të barrikadave. Situata mbetet e tensionuar dhe ajo po monitohet nga forca të shumta të policisë së Kosovës dhe KFOR-it./tvklan.al