Basha dërgon Alibeajn në prag të zgjedhjeve

6 javë nga zgjedhjet lokale, Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike në Shkodër, dha dorëheqjen nga ky rol. Deputeti Helidon Bushati e njoftoi vendimin e tij në një mesazh në Facebook.

“Pas një reflektimi të thellë rreth situatës politike dhe zhvillimeve në PD, kam marrë vendimin për t’u tërhequr nga roli i Drejtuesit Politik për Qarkun e Shkodrës. Këtë qëndrim, e kam komunikuar me drejtuesit e PD, përpara kësaj shpallje. PD po kalon momente të vështira por unë jam i bindur se demokratet do të dinë të bashkohen shpejt, e të ringrihen së bashku”.

Por ndryshe nga njoftimi i largimit të Bushatit të bërë në Facebook, Partia Demokratike e njoftoi në kanalet zyrtare të komunikimit zëvendësin e tij dhe duke nënvizuar faktin se në këtë bashki nevojitet një përfaqësues më i lartë se ai.

“Duke e konsideruar qarkun Shkodër si një nga qarqet më të rëndësishme për Partinë Demokratike, Kryetari i Partisë Demokratike ka vlerësuar se qarku Shkodër ka të domosdoshme drejtimin nga një funksionar i lartë i PD dhe ka zgjedhur si Drejtues Politik të qarkut Shkodër, Nënkryetarin e PD dhe Kryetarin e Grupit Parlamentar z. Enkelejd Alibeaj”.

Shkodra është një ndër bashkitë ku Partia Demokratike dhe Aleatët e saj kanë më shumë shpresë që të mbajnë drejtimin. Por me situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike, ky objektiv bëhet më i vështirë.

Tv Klan