Shkolla ‘Mustafa Greblleshi’ dhe “Sandër Prosi’ në Njësinë Nr.2 janë pajisur me terrene të reja sportive. Gjatë inspektimit të punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj

tha se këto dy shkolla do të kenë të njëjtin nivel si në infrastrukturë, ashtu edhe në mësimdhënie, si me shkollat e tjera të Tiranës.

“Na duhet një punë e jashtëzakonshme me prindërit sepse është vetëm çështje mentaliteti. Duhet punuar që asnjë njësi administrative të mos e shkelë rregullin: Kujt i takon ta regjistrojë fëmijën në shkollat ‘Mustafa Greblleshi’ dhe ‘Sandër Prosi’, sidomos tani që do bëhet edhe terreni sportiv, nuk duhet të shkojë te “Bashkim Fino”. Por, kush është te zona e shkollave ‘Mihal Grameno’ dhe ‘Bashkim Fino’, nëse njëra shkollë është mbushur, do shkojë te tjetra, e cila është me kushte ultra moderne”.

Veliaj  u ndal edhe në një sërë projektesh, të cilat janë bllokuar nga vendime në favor të privatit dhe jo të publikut. Sipas tij, zhbllokimi i investimeve publike do të ishte e vetmja mënyrë që Tirana të ecë përpara.

“Për sa kohë që ka gjykatë të shkallës së parë, të shkallës së dytë, ka Gjykatë Apeli, për sa kohë që ka gjykatë administrative, për sa kohë që Bashkia e Tiranës ka lënë pushimet dhe është në terren, nuk më vjen mirë kur shoh se si interesi publik nuk mbrohet dhe vazhdojmë me të njëjtat debate si para 7-8 vitesh, kur bashkia nuk merr dot një datë gjyqi për të çliruar një investim. Merren masa bllokimi për shkolla, kopshte, çerdhe, në interes të privatit, kundër publikut”.

Sipas Veliajt, prioriteti i Bashkisë së Tiranës janë shkollat, çerdhet dhe kopshtet.

Tv Klan