Milani e nisi kampionatin me një barazim zhgënjyes ndaj Torinos, me rezultatin 2-2 dhe do të kërkojnë të rikthehen te fitorja ndaj Parmës në javën e dytë.

Në prag të këtij takimi, në konferencë për shtyp foli trajneri i kuqezinjve, Paulo Fonseca.

Portugezi deklaroi se pret ndeshje ndryshe nga skuadra e tij, ndërsa zbuloi se në sulm do të luajë Noah Okafor.

“Java shkoi shumë mirë. Lojtarët janë stërvitur në mënyrë të shkëlqyer. Mungesa e Moratës? Dua të jem i sinqertë, ndaj Parmës do të luajë Okafor në sulm. Duam të bëjmë më mirë se ndaj Torinos. Okafor ka dhënë shenja pozitive dhe ka ka karakteristikat e duhura për ndeshjen e nesërme. Ndaj Parmës mendoj se do të jetë e vështirë.”

Fonseca foli edhe për afrimet e verës, duke thënë se Pavlovic mund të luajë nga fillimi, ndërsa Emerson dhe Fofana nuk janë në formën e tyre më të mirë.

“Reijnders dhe Theo Hernandez janë afër formës më të mirë fizike. Emerson dhe Fofana kanë ardhur më vonë. Kanë nevojë për më shumë kohë. Mund të luajë Pavlovic nga fillimi. Duhet të jemi një skuadër ndryshe nga ajo që u shfaqëm në pjesën e parë ndaj Torinos.”

Trajneri i Milanit, u shfaq i lumtur me punën e bërë nga drejtuesit në merkato.

“Morata ka një problem të vogël, nuk është dëmtim i rëndë. Ka ndjerë diçka, bëri teste dhe nuk kishte diçka serioze. Unë mendoj se drejtuesit kanë bërë një punë të shkëlqyer në merkato. Mendoj se një ekip si Milani ka gjithmonë vend për përmirësim. Të shohim se çfarë do të ndodhë. Klubi ka bërë një punë të shkëlqyer me lojtarët që ka afruar.”, deklaroi Fonseca.  

Ndeshja mes Milanit dhe Parmës, është planifikuar të luhet të shtunën e 24 gushtit, në orën 18:30. /tvklan.al