Lumenj e liqene të tharë shihen në pjesë të ndryshme të Kosovës. Si pasojë e rënies së nivelit të ujit, mbi sipërfaqe kanë dalë edhe objekte që dikur ishin të mbuluara. Madje, në Liqenin e Fierzës, që gjendet në kufirin midis Kosovës dhe Shqipërisë, hapësira që dikur ishte e mbuluar me ujë, tani po përdoret për të kullotur bagëtitë.

I gjithë kontinenti evropian, por edhe pjesë të tjera të botës po përballen me thatësirë të rëndë si pasojë e mungesës së reshjeve të shiut, por edhe valëve të të nxehtit. Komisioni Evropian tha më herët gjatë gushtit, se kontinenti evropian po përballet me thatësirën më të rëndë në 500 vjetët fundit.

Një varkë shihet në Liqenin e tharë të Fierzës. Ky liqe artificial, që gjendet në kufirin midis Kosovës e Shqipërisë dhe ka kapacitet që të mbajë mbi 3 miliardë metër kub ujë, së fundmi është tharë si pasojë e mungesës reshjeve të shiut dhe temperaturave të larta. 

Në Liqenin e Fierzës, në pjesën e Kosovës, hapësira që dikur ishte e mbushur me ujë tani është shndërruar në kullotë për bagëtitë.

Një varkë në brigjet e Liqenit të Batllavës. Edhe në këtë liqe, uji i të cilit përdoret për pije në Prishtinë dhe qytete të tjera të Kosovës, vërehet rënie e nivelit të ujit.