Tirana mirëpriti 32 studentët e parë të Kolegjit të Europës, të cilët vijnë nga 21 vende të ndryshme të Europës,dhe do të studiojnë në kryeqytetin shqiptar gjatë vitit akademik 2024-2025. Në ceremoninë e përurimit të Kampusit të Kolegjit, me seli në godinën “Liria” pranë Qytetit Studenti, mori pjesë edhe kryebashkiaku Erion Veliaj i cili tha se Bashkia e Tiranës, përveç kontributit në krijimin e kushteve të mira për studentët, ka kontribuuar me tre bursa për të rinj ekselentë shqiptarë.
“Shekullit të 21, gjithnjë e më shumë po i referohemi si shekulli i qyteteve. Pra, njerëzit thonë “Kolegji i Tiranës”, jo më “Kolegji në Republikën e Shqipërisë”. Ne i lidhim këto ngjarje me qytetet, më shumë se sa me shtetet. Prandaj, edhe vendosëm që, përveç ndihmës në krijimin e infrastrukturës së kolegjit, të kontribuojmë edhe me tre bursa për ekselentët”.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato tha se Shqipëria është pjesë e Europës.
“Nuk është vetëm një realitet i ri akademik, që ndodh në Tiranë, por ka të bëjë me sjelljen e Bashkimit Europian këtu në Shqipëri dhe këtu në rajon. Ne përdorim një slogan në Delegacionin Europian: “Europa është këtu”. Në fakt është i gabuar sepse duhet të jetë: “Bashkimi Europian është këtu”, pasi Europa është tashmë këtu, sepse Shqipëria është Europë”.
E pranishme në këtë pritje ishte dhe ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu e cila theksoi se hapja e Kolegjit në Tiranë e vendos Shqipërinë në hartën e vendeve që ofrojnë standarde të larta arsimore.
Klan News