Pasditen e së shtunës, rreth orës 17:00 janë rihapur për qarkullim Pikat Kufitare në Mërdare dhe Bërnjak, ndërsa më herët u kthye normaliteti edhe në pikën doganore të Jarinës.
Ato ishin mbyllur që nga e premtja pas bllokadës së rrugëve afer këtyre pikave kufitare në territorin e Serbisë nga disa shoqata serbe.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla.
“Pas njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, njoftoi Sveçla.
Autoritetet në Kosove kanë kritikuar institucionet e Serbisë për bllokadën, duke deklaruar se synojnë të krijojnë tensione në rajon.
Bllokimi i tre nga 6 pikat kufitare erdhi si shenjë proteste e serbeve të cilët kërkonin largimin e Policisë së Kosovës nga veriu dhe kthimin e funksionimit të institucioneve paralele.
Ndërsa mësohet se serbët kanë vendosur një afat deri më 1 Tetor për plotësimin e kërkesave të tyre. Në të kundërt do të rinisin sërish bllokadën në kufi.
Tv Klan