Kombëtarja shqiptare nis këtë të shtunë rrugëtimin në Ligën e Kombeve, me sfidën e parë të grupit, atë ndaj Ukrainës.
Në prag të kësaj sfide, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, me një postim në profilin e tij, i uron suksese kuqezinjve, ndërsa shkruan se nuk ka dyshime se do të bëjnë shumë mirë për të prodhuar, jo vetëm rezultate, por edhe lojë e emocion për tifozët.
“Të dashur sportdashës! Emocionet e forta që përjetuam në Europian vetëm pak muaj më parë me krenarinë tonë kombëtare vazhdojnë.
Nga sot nisim një tjetër rrugëtim në Ligën e Kombeve si një trampolinë jo vetëm për rezultate të tjera të suksesshme!
Në sfidat e Ligës së Kombeve kemi përballë tre ekipe që pamë dhe ndoqëm në Europian, Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Republikën Çeke, duke ditur mirë forcën dhe potencialin e tyre.
Nuk kam dyshimin më të vogël që do të vazhdojmë të bëjmë shumë më mirë për të prodhuar jo vetëm sukses e rezultat, por edhe lojë e emocion për të gjithë sportdashësit kuqezi anembanë botës!
Kjo është Kombëtarja jonë! Dhe besimi e mbështetja për ta nuk do të mungojnë kurrë! Shumë suksese ekipit e stafit në këtë rrugëtim të ri me besimin e palëkundur që ky ekip do të vazhdojë të mbajë të ndezur adrenalinën dhe suksesin tonë!”, shkruan Duka.
Ndeshja Ukrainë-Shqipëri, do të luhet mbrëmjen e kësja të shtune, në orën 20:45, ndërsa transmetohet në ekranin e Tv Klan.
/tvklan.al