Në përfundim të turit të inspektimeve në institucionet arsimore, kryebashkiaku Erion Veliaj u ndal tek shkolla 9-vjeçare “Misto Mame” në Njësinë 8. Sipas Veliajt të gjitha shkollat në Tiranë janë ndërtuar më të njëjtin standard.
“Misto Mame’ është një nga shkollat me performancën më të lartë në Tiranë. Ndonjëherë, nga mania për t’i çuar fëmijët në shkolla në qendër të Tiranës, harrojmë se ka super shkolla te “Medreseja”. Kjo është një shkollë e ndërtuar nga administrata e Tiranës në 2008 – e theksoj këtë sepse vetëm dy administrata kanë bërë shkolla në Tiranë, administrata e Edi Ramës dhe administrata jonë, se për të tjerët e dimë që, mirë që nuk ndërtuan asnjë shkollë, por nuk të lënë as të punosh”.
Kryebashkiaku kishte edhe një apel për prindërit, që ditën e hënë të mos e përdorin automjetin për të çuar fëmijët në shkollë, për të shmangur krijimin e trafikut.
“Nuk ka sens t’i hipim makinës për të çuar fëmijët në shkollë. Ato 200-300 metra rrugë, këshilla për prindërit është: Merrini fëmijët për dore, flisni me ta, lehtësojini pak nga emocionet”.
Nga dita e hënë do të hyjë në fuqi edhe udhëzimi i Bashkisë së Tiranës, që ndalon qarkullimin e mjetet e furnizimit të dyqaneve dhe marketeve nga ora 07:00 deri në orën 09:00.
Tv Klan