Qeveria japoneze deklaroi një gjendje të re emergjence për shkak të infeksioneve

Lojërat Olimpike Tokio 2020 rrezikojnë që të zhvillohen pa spektatorë, sepse qeveria japoneze deklaroi sërish gjendjen e  emergjencës për shkak të shpërthimit të rasteve të reja me COVID-19  në vend, vetëm dy javë përpara se eventi sportiv të nisë.

Situata është përkeqësuar në shtetin aziatik, pasi nga dita në ditë ka rritje të të infektuarve.

Vetëm ditën e sotme, autoritetet shëndetësore raportuan 920 raste me Covid, e ky është numri më i lartë që nga muaji Maj.

Thomas Bach, presidenti i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar do të marrë një vendim në lidhje me praninë ose jo, të spektatorëve në impiante ditën e premte.

Pritet që gjendja e emergjencës të zgjasë deri më 22 Gusht, dy javë pasi eventi sportiv të përfundojë.

Ekspertët e shëndetësisë prej javësh deklarojnë se mbajtja e lojërave olimpike pa spektatorë do të ishte opsioni më pak i rrezikshëm, ndërsa në vend ka një shtim të të infektuarve me Covid.

Deri më tani janë ndaluar që të ndjekin eventet, njerëzit që vijnë nga shtetet e tjera.

Limiti i të pranishëmve në impiantet sportive do të jetë maksimumi 10 mijë persona.

Mungesa e spektatorëve do të jetë një goditje e madhe për sponsorët e Lojërave Olimpike.

Klan News