Ata janë grupi legjendar i muzikës rock në Shqipëri. Plot 30 vite në skenën shqiptare, Elita 5 zgjodhi Tiranën për koncertin madhështor në qiell të hapur me hitet dhe albumin më të ri të tyre. Në 7 Shtator, Tirana do të përfshihet nga “tornado”.

“Ne që kemi qenë jashtë trojeve të Shqipërisë e kemi parë Tiranën si kryeqendër të shqiptarëve kudo që janë, dhe shqiptarët dhe Shqipëria e meritojnë këtë koncert dhe ta festojmë ditëlindjen në Tiranë”.

Për grupin e përbërë nga 6 pjesëtarët nga Tetova të themeluar në 1988, duket se vitet nuk janë sfidë.

“Ka një domethënie shumë për ne të festimit, ekzistimit dhe punës së grupit të Elita 5. Kanë kaluar shumë shpejt, besoj se kemi bërë një punë si duhet”.

Tre dekada në skenën shqiptare, kosovare dhe maqedonase, Elita 5 numëron 8 albume dhe dhjetra këngë hit si “Al Capone”, “Nuk jam unë diktator”, “Fol, vetëm fol” dhe e fundit e hedhur në treg para dy muajsh, “Tornado”.

“Janë 8-9 albume edhe mbi 70 këngë”.

Të kërkosh nga Elita se cila është kënga e tyre e preferuar, është njësoj si të bësh diferencë tek fëmijët. Megjithatë ata thonë se ajo që i vuri vulën këtij grupi, mbetet ‘Al Kapone’.

“Të gjithë gishtat janë njësoj. Unë nuk mund të kisha ndarë ndonjë këngë, por vula dhe pasaporta e grupit Elita 5 është Al Kapone”.

Projektet e ardhshme? Sërish këngë dhe album. Por deri atëherë, që mund të zgjasë disa vite, publiku mund të shijojë albumin më të ri “Tornado” dhe këngën e realizuar në rrugët e Tiranës.

Tv Klan