“Nuk kisha qëllim ta vrisja babanë. E shtyva ta largoja, por u rrëzua nga shkallët”.

Kanë qenë këto fjalët e 41-vjeçarit Klementin Islamaj nga fshati Shalës i Konispol, i arrestuar një ditë më parë për vrasjen e babait të tij.

Më herët 69-vjeçari Hysen Islamaj kishte vrarë me sëpatë bashkëshorten e tij 66-vjeçare. Djali është shprehur para efektivëve se kur ndodhi krimi nuk kishte qenë në banesë.

“Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit. Isha tek lokali i fshatit po pija kafen me disa shokë. Nga shtëpia u dëgjua zhurmë dhe më thanë bashkëfshatarët të çohesha të shihja çfarë kishte ndodhur. Kur shkova gjeta nënën të vrarë në mes të shtëpisë. Babanë e shtyva që ta largoja nga vetja, por ai u pengua dhe ra. Nuk kisha qëllim ta vrisja”, tha Islamaj.

Përpara hetuesve ai ka thënë se babai ishte i dhunshëm ndaj nënës. Policia tha se krimi i rëndë ndodhi për motive banale.

E gjithë ngjarja u shënua në prani të fëmijëve të 41-vjeçarit të divorcuar. Për këtë të fundit është ngritur akuza e “Vrasjes kryer në gjendje të tronditjes së fortë psikike”.

Tv Klan