Trupi i pajetë i minoritarit Kostandino Kaçifas u tërhoq nga familja e të ndjerit ditën e sotme në fshatin Bularat të Dropullit në Gjirokastër. Njëmbëdhjetë ditë pas vrasjes, trupi i 35-vjeçarit u kthye në fshatin ku humbi jetën pas shkëmbimit të zjarrit me policinë.

Arkivoli i minoritarit Kaçifas ishte i mbuluar me flamurin grek. Ceremonia mortore për 35-vjeçarin është paralajmëruar të mbahet ditën e nesërme në orën 14:00 në Bularat. Bashkia e Dropullit njoftoi se do të mbulojë shpenzimet e varrimit. Në fshatin Bularat, përveç banorëve kanë shkuar edhe shumë qytetarë nga Greqia, sikurse kanë paralajmëruar edhe mediat greke.

Masat e sigurisë në kufirin shqiptaro-grek në Kakavije janë rritur. Pala shqiptare ka shtuar ndjeshëm prezencën policore, jo vetëm në doganë por edhe në fshatin Bularat për të shmangur ndonjë incident. Autobusë të tjerë nga Greqia pritet të hyjnë në tokën shqiptare për të sjellë qytetarët grekë që do të marrin pjesë në varrimin e Kostandino Kaçifas. 35-vjeçari u vra nga forcat speciale të RENEA më 28 Tetor në fshatin Bularat. /

tvklan.al