Turqia shkon në zgjedhje të parakohshme më 24 Qershor të këtij viti, rreth 1 vit e gjysmë përpara kohës së caktuar.

Lajmin e bëri të ditur presidenti turk Rexhep Taip Erdohan, i cili tha se vendi ka nevojë të menjëhershme të kalojë në një sistem të Republikës Presidenciale, siç u vendos në referendumin e vitit 2017.

“Ndonëse duket sikur nuk ekziston asnjë problem, pasi presidenti dhe qeveria punojnë në harmoni, mangësitë e sistemit të kaluar shfaqen para nesh në çdo hap që hedhim. Ngjarjet me rëndësi historike për vendin tonë në Siri dhe Irak, detyrojnë Turqinë t’i tejkalojë sa më parë pasiguritë. Është gjithnjë e më urgjent kalimi në sistemin e ri qeverisës”.

Presidenti turk sqaroi se vendimi për zgjedhje të parakohshme u mor në unanimitet me liderin e partisë opozitare ultra-nacionaliste, Devlet Bahçeli. Erdogan mund të zgjidhet presidenti edhe për 2 mandate 5-vjeçare.

Më 16 prill të vitit 2017, Turqia mbajti referendumin ku u miratuan ndryshimet kushtetuese për të kaluar nga sistemi parlamentar në atë presidencial, duke forcuar edhe më shumë pushtetin e Rexhep Taip Erdogan, pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016.

Tv Klan