Tre shtëpi të vizituara nga hajdutët. Në tjetrën ishte qeni ai që i bëri t’ia mbathnin me të katra. Pasi vodhën dy shtëpi dhe kuptuan se ishin zbuluar nga banorët e zonës, autorët e vjedhjeve ‘fluturuan’ me një makinë.

Të zënë në grackë, u përpoqën të mbulonin gjurmët e tyre, por pas disa kilometrash, dolën nga rruga. Njëri prej tyre ishte i plagosur, tjetri u arratis.  Nuk përjashtohet mundësia që një i tretë të ketë bërë rolin e rojes. E shtuna e kaluar ishte një natë “polici dhe hajduti” në zonën e Vallecorsa dhe Castro dei Volsci, Itali.

Tentativa e parë ndodhi rreth orës 18:30 në San Francesco, Vallecorsa në një shtëpi ku disa muaj më parë, vjedhësit ishin përpjekur të hynin, por qeni veproi njësoj si herën e parë, duke i detyruar të largohen sërish duarbosh. Në shtëpinë e dytë, jo shumë larg, ata hynë në katin e sipërm dhe i kthyen dhomat përmbys, por nuk gjetën asgjë. Në të tretën morën gjëra me vlerë floriri e argjendi teksa familjarët hanin darkë në katin e poshtëm.

I njëjti skenar ndodhi rreth orës 20:30 në distriktin e Le Pezze. Pronarja vuri re se i kishin hyrë në shtëpi kur shkoi të kontrollonte sobën, por hajdutët kishin vjedhur gjithçka. Banorët vunë menjëherë alarmin, gjë që i trembi vjedhësit pasi gjatë vrapit nëpër fshat kishin humbur një pjesë të sendeve të vjedhura.

Më pas vijoi arratisja me makinë, një përpjekje për të humbur gjurmët ku iu drejtuan me shpejtësi Castro dei Volci, por xhiroja mori fund në San Sosio. Mjeti, që po udhëtonte me shpejtësi rrufeje, u përplas me një nga barrierat rrugore. Shoferi, që mendohet të jetë me origjinë shqiptare, mbeti i lënduar dhe u ndalua menjëherë nga karabinierët që ndërkohë ishin lajmëruar nga qytetarët.

Në makinë, sipas rindërtimit të ngjarjes, ka qenë një pasagjer që ia ka dalë të arratiset. I plagosuri në spital ndodhet nën mbikëqyrjen e autoriteteve. Brenda mjetit u gjendën mjete që shërbenin për vjedhjet. Zhvillimet më të fundit nuk janë bërë ende të ditura nga policia./tvklan.al