Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, së bashku me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, po darkojnë sonte në Elbasan.

Vuçiç ka publikuar në rrjetet sociale një foto së bashku me kryeministrat Rama e Zaev duke na përcjellë detaje se si po e kalojnë darkën liderët.

Ndër të tjera, Presidenti Vuçiç i ka shoqëruar fotot me një mesazh. Ai thotë se Ballkani i Hapur është një iniciativë e jashtëzakonshme për njerëzit që të jetojnë të lirë në rajon.

“Ne e konsiderojmë Ballkanin e Hapur, një iniciativë të jashtëzakonshme, e cila është bërë që njerëzit të jetojnë të lirë në rajon, në çdo qytet dhe fshat. Biseda të rëndësishme se si të ecim përpara, si të bashkëpunojmë dhe si të forcohemi”, shkruan Vuçiç.

Kujtojmë që ditën e sotme para Kryeministrisë u protestua kundër nismës “Open Balkan”. Madje Sali Berisha, i cili e thirri këtë protestë, tha se kur të vijë PD në pushtet do t’i hedhë poshtë marrëveshjet e firmosura në kuadër të “Ballkanit të Hapur”./tvklan.al