Demokratët kanë vijuar akuzat në adresë të Kryeministrit Edi Rama lidhur me ritenderimin e projektit të Unazës së Madhe, që sipas tyre është një megaaferë e qeverisë me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Sipas selisë blu, kompania fituese është paracaktuar nga kreu i ekzekutivit, duke e cilësuar fasadë hapjen nga ana e Autoritetit Rrugor të ofertave për ndërtimin e lotit të parë të Unazës së Madhe.

“Kompania “Gjoka Konstruksion” është paracaktuar të shpallet fituese e një tenderi të manipuluar përmes kritereve shumë specifike dhe të pakapshme nga shumica dërrmuese e kompanive të ndërtimit. Askush nuk ka më dyshim se Edi Rama është ai që ka urdhëruar këtë projekt të zhvatjes së shqiptarëve, 20 milionë euro për 2.3 kilometra”.

Autoriteti Rrugor hodhi poshtë akuzat dhe duke sqaruar se për lotin e parë janë paraqitur oferta nga 6 operatorë ose bashkime oporatorësh ekonomikë.

Curri sh.p.k & Vëllezërit Hysa sh.p.k &Agri Konstruksion

GD Granit AD Skopje

Gjoka Konstruksion SH.A. & Shansi ivest sh.p.k

Geci sh.p.k

ANK sh.p.k

Baftjar Murati

ARRSH thotë se kriteret dhe kërkesat ligjore në këtë garë janë të njëjtat me ato të garës së mëparshme për të njëjtin lot të Unazës dhe se nuk ka ndryshuar asnjë prej tyre.

Por në një reagim të dytë, Partia Demokratike thotë se ARRSH gënjen publikisht, pasi kriteri për paraqitjen e licencës u ndryshua nga licenca NP – 12/G, punime të inxhinierisë së mjedisit, në licencën NP – 12/F, punime të inxhinierisë së mjedisit, të cilën e disponon ‘Gjoka Konstruksion’.

Ky lot po ritenderohet pas zbulimit të skandalit se kompania “DH Albania” me përfaqesues 26–vjeçarin Avdjol Dobi, e kishte fituar ate me dokumente të falsifikuara. Vlera e punimeve mbetet në 18 milionë Euro.

Tv Klan