Veliaj: Tirana, mundësi për të promovuar të rinjtë e çdo qyteti

Kryetarët e të gjitha bashkive kanë vendosur së bashku që të unifikojnë Shoqaten për Autonominë Vendore dhe Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë. Kryebashkiaku Veliaj  e konsideroi këtë hap të rëndësishëm i cili i hap rrugën prezantimit të përbashkët në një organizëm të 61 bashkive të vendit.

“Është vërtet muzikë për veshët e mi që, më në fund, kemi mbërritur në një ditë ku po sillemi si çdo vend tjetër europian. …Megjithatë, kjo është diçka ‘ad hoc’ dhe duhet ta bëjmë të qëndrueshme. Po sikur të ndodhë që njëra nga shoqatat, siç po ndodh me krahun e opozitës, ndahet edhe mes vedit, si skenat që pamë tek SHQUP-i, pastaj këtë sjellje qesharake do duhet ta eksportojmë kudo në botë?! Apo më mirë i mbajmë si incidente të izoluara këtu brenda Shqipërisë çudirat shqiptare të partive dhe lojërat ‘kala dibrançe’ – “kush merr ndërtesat” – dhe të paktën jashtë jemi të unifikuar, si një trupë serioze njerëzish të zgjedhur të Republikës së Shqipërisë, që menaxhojnë 61 bashki, sot shumë herë më të konsoliduara”.

Veliaj tha se me unifikimin e sotëm, edhe vendimet do të jenë më të lehta.

“Ky unifikim vërtet është kthyer në një punë më të vështirë për kryetarin e njësisë vendore, ama vendimet merren më kollaj. Sot ishte vetëm një vendimmarrje politike unanime për të bërë këtë unifikim”.

Në fund, Veliaj ftoi të gjithë kryetarët e bashkive t’i bashkohen aktiviteteve të Tiranës Kryeqytet Europian i Rinisë.

Tv Klan