Një javë më parë historia e Sonilës, vajzës 22-vjeçare nga fshati Tozhar i Poliçanit që u gjet e vdekur në banesën ku jetonte në Torino të Italisë, mori vëmendje shumë të madhe.

Janë me dhjetra qytetarë që na kanë shkruar, një pjesë e mirë e tyre shprehin solidaritetin për prindërit e vajzës për këtë humbje tragjike.

Një pjesë tjetër na kanë shkruar nga Torino për të na ndihmuar me çdo informacion që ata dinë për bashkëshortët Kreshnik dhe Sonila Cani.

Të gjithë në ndihmë për të zbuluar misterin e 21 Marsit se çfarë ndodhi me Sonilën dhe kush është ajo dorë e errët që tentoi të kryejë një krim perfekt.

Një vrasje e dhunshme, brutale që është tentuar të mbulohet si një vetëvrasje e të resë që ka lënë pas dhe një fëmijë të vogël 1 vjeç e gjysmë.

Dua t’i falenderoj të gjithë ata shqiptarë brenda dhe jashtë vendit që i janë bashkuar këtij misioni për të zbardhur të vërtetën e Sonilës.

Verdiktin përfundimtar do e japë Prokuroria e Torinos që në bashkëpunim me policinë dhe mjekësinë ligjore po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Por ne do të ndihmojmë me të dhënat e tjera të cilat duke i mbledhur me kujdes dhe në mënyrë të dokumentuar do zbulojnë shumëçka rreth asaj që fshihet pas kësaj vdekje të mistershme.

Një ngjarje që nuk u përmend nga askund, askush nuk shkruajti, askush nuk foli as në Itali as një Shqipëri edhe për faktin se ngjarja ishte raportuar si vetëvrasje. Askush nuk tha asgjë derisa në redaksinë e emisionit Uniko erdhi një letër e shkruar nga babai i Sonilës që kërkonte ndihmë për të zbuluar të vërtetën e vajzës së tij.

Të vetmen gjë që dinte ishte që vajzën e kishin gjetur të varur me një shall në tualetin e banesës ku ajo jetonte me qira me bashkëshortin dhe djalin e mitur në Torino dhe i kishin thënë se ishte vetëvrarë. Një version që ai sigurisht nuk e besonte, ashtu siç nuk besonte më shumë gënjeshtra të tjera që i ishin thënë edhe kur Sonila ishte gjallë.

Në emisionin e parë që pati një impakt shumë të madh nga mijëra qytetarë shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, ne tentuam të qëmtonim të dhënat sipërfaqësore dhe më pas t’i bënim bashkë për të ngritur një ekuacion me disa të panjohura dhe që sigurisht gjithësecili prej jush filloi të ngrinte dyshimet, versionet apo alibitë se çfarë mund të kishte ndodhur me Sonilën. Por ne nuk u mjaftuam me kaq.

Në këtë emsion të dytë kushtuar misterit të vdekjes së Sonilës ne do vijmë me të dhëna të tjera, të reja por që nuk janë shteruese pasi shumë prej informacione që ne kemi siguruar në këto 7 ditë po punojmë për t’i verifikuar në mënyrë profesionale dhe pse jo ligjore dhe do t’i sjellim në puntatat e ardhshme. Puna jonë për të zbardhur të vërtetën e Sonilës nuk përfundon sonte.

40 ditë pas vdekjes së bashkëshortes, Kreshnik Cani ka zgjedhur të flasë sonte për herë të parë në media për ditën e ngjarjes. Ai do të japë versionin e tij. Cili ishte takimi i tij i fundit me Sonilën? Çfarë biseduan? Përse u vonua për t’u rikthyer në banesë, kur doli vetëm të blinte cigare? Cili ishte mesazhi i fundit i Sonilës në celular dhe përse ky mesazh nuk e alarmoi kaq shumë sa ta detyronte të kthehej? Çfarë u  zhduk tjetër në banesën e tyre përveç celularit personal të viktimës? Për këto dhe shumë detaje të reja të papublikuara më parë, ndiqni deklarimin e Kreshnik Canit dhe versionin e tij për mesditën e së dielës 21 Mars 2021. /tvklan.al