Vaksinat anti-Covid, efekte pozitive edhe për shtatzënat


Vaksinat anti-Covid, efekte pozitive edhe për shtatzënat

17:15 26/03/2021

Studimi amerikan: Anti-trupat e krijuar u përcillen edhe foshnjave

Anti-trupat e krijuara nga vaksinat Pfizer/BioNTech dhe Moderna janë të dobishme kundër koronavirusit edhe për gratë shtatzëna dhe ato që ushqejnë foshnjat me qumësht gjiri. Sipas një studimi të kryer në Shtetet e Bashkuara, anti-trupat e krijuara nga këto vaksina mund t’i kalohen edhe të porsalindurve përmes qumështit të gjirit ose placentës.

Studimi është publikuar në revistën mjekësore amerikane për Obstetrinë dhe Gjinekologjinë dhe është kryer nga disa institute prestigjioze shkencore amerikane mes të cilave edhe programi për shkencat e shëndetit të Institutit të Masaçusetsit për Teknologjinë dhe Universiteti i Harvardit.

Studimi është bazuar tek të dhënat e 131 grave, shumica shtatzëna, për periudhën mes Dhjetorit dhe Marsit, teksa pritet që testet të zgjerohen tek mbi 13 mijë gra shtatzëna me një gamë më të gjerë vaksinash për të arritur në konkluzione përfundimtare. Në të njëjtin përfundim arriti edhe një tjetër studim për gratë shtatzëna për anti-trupat e krijuara nga vaksinat Pfizer në Izrael, i publikuar më herët gjatë këtij viti.

Tv Klan






Të ngjashme