Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Protestat e fundit të opozitës shqiptare e kanë tërhequr vëmendjen e liderëve evropian të partive të djathta. Kryetari i këtij grupimi në Këshillin e Europës Van der Linden ka qenë për disa vjet reporteri i kësaj organizate për Shqipërinë. Sipas zotit Linden, opozita ka të drejtë të dalë nëpër sheshe në mbrojtje të interesave të votuesve të saj, të nëpërkëmbur nga pushteti.

René van der Linden: “Unë mendoj se Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë, në mënyrë që të arrijë të detyrojë qeverinë, të zbatojë disa ekuilibra dhe të mos shpërdorojë pushtetin që zotëron. Nga ana tjetër, protestat duhet të shoqërohen me mënyra të tjera më paqësore, që kanë të bëjnë me përgatitjen e elektoratit për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Njerëzve duhet t’u qëndrosh pranë, jo vetëm nëpër mitingje dhe protesta, në mënyrë që ata të binden, që ato që opozita ka planifikuar të realizojnë, shkojnë në të mirë të vendit. Ju më pyetët për bashkëpunimin e munguar mes opozitës kryesore, asaj të zotit Berisha dhe zotit Pollo, kjo mbetet në dëshirën e palëve, por iniciativa për t’ju rikthyer bashkëpunimit do të sillte përfitime për të djathtën shqiptare. Gjithsesi i mbetem qëndrimit, se një gjeneratë e re politikanësh do të ishte në dobi të vendit tuaj, për t’u përballur me sfida si korrupsioni dhe trafiqet ilegale. Besoj se një klasë e re politike do të kishte gjetur më lehtë kompromisin për ecurinë e reformave elektorale, si dhe për përmbushjen e të gjitha standardeve që Shqipëria të bëhet më në fund pjesë e Europës së Bashkuar”./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame