Pacienti i kthyer nga Iraku

Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, ka njoftuar se në vend është detektuar varianti “indian” i virusit SarsCov2. Siç njoftojnë autoritetet e shëndetësisë, rasti është identifikuar javën e kaluar tek një pacient që është i shtruar në një spital privat të vendit.

Sipas anketës epidemiologjike të bërë në këtë spital, pacienti është kthyer nga Iraku, ku paraprakisht 10 ditë ka qenë i sëmurë dhe i hospitalizuar. MSH-ja ka njoftuar se kur është kthyer në Shkup me transport të veçantë është transferuar në spital. Nuk jepen detaje të tjera, por thuhet se situata shëndetësore e tij është stabile dhe se pacienti nuk përbën rrezik.

Ndryshe, është ky rasti i parë i një pacienti të infektuar me llojin “indian” të virusit, për të cilin thuhet se është më infektues dhe më i rrezikshëm.

Kohë më parë tek një epror i Armatës së Maqedonisë së Veriut ishte detektuar lloji “jugafrikan” i virusit. Ai nga Afrika ishte transportuar në Maqedoninë e Veriut, ku pas trajtimit në spital, ka fituar “betejën’ ndaj këtij virusi dhe është evidentuar si i shëruar.

Tv Klan