“Kreu i opozitës të sqarojë si mori shtëpitë”

Nga Petrela, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka kërkuar sërish sqarime nga kreu i demokratëve për pasurinë e tij.

Veliaj u shpreh se kjo mazhorancë po ndërton shtëpitë e të pastrehëve, ndërsa kreu i opozitës sheh pasurimin e tij.

“Është e vërtetë, edhe ne i kemi marrë dy shtëpi Gon Papulit, jo vetëm Lul Basha. Ka vetëm një diferencë. Ne ia morëm dy shtëpitë për Afërditën dhe Mirelën, që ngelën pa shtëpi. Tjetër gjë t’i marrësh për kunatin dhe tjetër gjë t’i marrësh për popullin, kur një investitor do që të kontribuojë. Kur i jep për popullin quhet sevap, ose filantropi, kur i jep për një parti politike dhe për kunatin, ajo quhet gjobë ose shantazh. Kjo është diferenca mes botëkuptimeve tona. Ne e vlerësojmë sipërmarrjen, jemi shumë të nderuar që ata punojnë dhe ndërtojnë, qofshin kur bëjnë shkolla, rrugë, apo kur bëjnë vila, por ama këta paguajnë taksat. Me ato taksa ne bëjmë akoma më shumë punë, nuk paguajnë gjoba dhe nuk i përgjigjen shantazhit”.

Gjatë turit të tij në Petrelë, Veliaj foli për shkollën 9-vjeçare në Mangull e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit por që do të rindërtohet brenda pak muajve, për të mirëpritur dyfishin e kapacitetit të nxënësve që kishte më parë.

Tv Klan