Autoritetet në Venezuelë kanë arrestuar njeriun e afërt të liderit të opozitës Juan Guaido. Banesa e tij në kryeqytetin Caracas u bastis nga agjentë sekretë. Guaido ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të shefit të stafit të tij, Roberto Marrero. Nuk dihet vendndodhja se ku mbahet ky i fundit.

Autoritetet bastisën edhe banesën e deputetit opozitar Sergio Vergara që ndodhej pranë banesës së Marrero, por ligjvënësi nuk u arrestua. Ai bëri me dije se u ndalua shoferi i tij. BBC raporton se ky operacion mund të sinjalizojë një goditje nga Presidenti Maduro ndaj opozitës. Më shumë se 40 agjentë të armatosur ishin të përfshirë në bastisjet e banesave.

Lideri i opozitës, Juan Guaido, që është njëkohësisht kreu i Asamblesë Kombëtare, u vetëshpall Presidenti i Venezuelës më 23 Janar. SHBA dhe vendet e tjera Perëndimore e kanë pranuar Guaidon si president të vetëshpallur të vendit. Guaido ka kërkuar nga Presidenti Maduro që të japë dorëheqjen, me pretendimin se rizgjedhja e tij në krye të vendit ka qenë e paligjshme. Por, Presidenti Maduro ka refuzuar çdo ultimatum të liderit të opozitës dhe të SHBA-së e Perëndimit. Në krah të Nicolas Maduro kanë dalë Kina dhe Rusia.

/tvklan.al