Edhe këtë të enjte opozita ka bllokuar foltoren e Kuvendit. I pari që mori fjalën ishte kryetari i opozitës Lulzim Basha, i cili edhe në këtë seancë akuzoi ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryeministrin Edi Rama, si të lidhur me krimin dhe mbrojnë Agron Xhafaj për interesat e tyre.

Kryetari i Kuvendit ka ndërprerë seancën për 10 minuta pushim, pasi opozita bllokoi foltoren.

Basha tha se ka rënë Kushtetuta, Kodi i Procedurës Penale si dhe ligji i Vettingut për policët.

“E vërteta është se Kushtetuta ka rënë, Kodi Penal ka rënë, Kodi i Procedurës Penale ka rënë, ligji antimafia ka rënë, ligji i famshëm i Vettingut të policisë ka rënë për sa kohë në ato karrige janë të ulur Fatmir Xhafa dhe Edi Rama që janë zbuluar para mbarë shqiptarëve e mbarë botës si hartuesit e zbatuesit e një skenari kriminal që ka për qëllim të mbulojë veprimtarinë kriminale të Fatmir Xhafajt në ndihmë të vëllait të tij Agron Geron Xhafaj, të mbulojë komplotin antiligjor dhe antikushtetuese”

, u shpreh kryeopozitari Basha.

Seanca parlamentare është ndërprerë për herë të dytë brenda pak minutash. Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi i ka kërkuar opozitës të largohet nga foltorja, por ajo nuk i është bindur. Në këtë mënyrë ai ka ndërprerë sërish seancën. Por opozita është futur live nëpërmjet rrjetit social Facebook.

/tvklan.al