Ishte ora rreth 03:00 e mëngjesit, kur 4 grabitës shkuan në shtëpinë e Minella Muçi, në lagjen “29 Nëntori” të Fierit për ta grabitur.

Të maskuar e të armatosur me armë zjarri, ajo që me gjasë grabitësit nuk prisnin ishte që pronari i shtëpisë, 68-vjeçari Muçi, të njoftonte policinë e kjo e fundit të vinte menjëherë në vendin e ngjarjes.

Oficerët e policisë së Fierit u përballën me grabitësit duke iu kundërpërgjigjur hapjes së zjarrit, që çoi në vrasjen e një prej autorëve. Ai është Xhuljan Sollaku, një 20-vjeçar nga fshati Katund i Ri, i Elbasanit. 

Gjatë kësaj përplasjeje mbeti i plagosur edhe një prej grabitësve të tjerë, i cili është identifikuar si 33-vjeçari Arben Muçaj, me origjinë nga Puka dhe banues në Ndroq të Tiranës.

Ai është dërguar në spital dhe pritet që nga marrja në pyetje, autoritetet të zbulojnë më shumë mbi këtë ngjarje. Momentalisht 33-vjeçari ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe mbahet në masa të rrepta sigurie.

Dy autorët e tjerë të kësaj bande arritën të largoheshin, duke përfituar nga situata e krijuar dhe errësira. Sipas dëshmitarëve, ata u larguan me një makinë fuoristradë. Për kapjen e tyre, identiteti i të cilëve nuk dihet, janë ngritur pika të shumta kontrolli.

Qyteti i Fierit tronditet kështu për herë të dytë brenda muajit, nga grabitës të armatosur. Por nëse në rastin e grabitjes së ndodhur më 2 Mars humbi jetën një qytetar, duke tentuar që t’i ndalonte autorët, ndërhyrja në kohë e forcave të policisë, këtë të premte shmangu pasoja të mundshme të rënda për jetën e qytetarëve.

/tvklan.al