-Protesta në komunat veriore të Kosovës, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, kanë vijuat dhe ditën e sotme.

-Situata duket e qetë dhe protestuesit po protestojnë paqësisht.

-Serbët lokalë kanë protestuar rregullisht që nga 26 Maji në këto komuna, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

-Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.

Ora 12:40 – Mbetet e qetë situata në veri të Kosovës

Këtë të shtunë në Zveçan dhe Leposaviç vihej re një prani më e pakët e protestuesve serbë që qëndronin pranë zyrave të komunave.

Ato janë të rrethuara me tela me gjemba dhe po ruhen nga forcat e KFOR.

Në veri kanë mbërritur edhe 700 forcat shtesë të NATO-s pas tensioneve të javës së kaluar.

Nga përplasjet u lënduan 30 paqeruajtës të NATO-s dhe protestues 52 serbë.

Ora 11:20 – Po hetohen sulmet ndaj zyrtarëve policorë në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se kanë nisur hetimet për sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 29 Maj, në Zveçan.

“Me datën 29 Maj, rreth 70-80 persona të dhunshëm, duke përdorur mjete eksplozive të ndryshme, armë zjarri, gurë dhe tulla betoni, kanë sulmuar zyrtarët policorë, të cilët ishin në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.

Sulmet ndaj zyrtarëve të këtij institucioni konsiderohen “sulm kundër rendit kushtetutës të Kosovës”.

Ora 10:20 Vazhdon protesta në Leposaviç

Në Leposaviç, serbët janë mbledhur sërish për të protestuar, duke nisur kështu ditën e gjashtë të protestës atje.

Në Leposaviç, sot në mëngjes është qetësi, ndërsa në pllajën përballë komunës së Leposaviqit janë pjesëtarë të KFOR-it italian të stacionuar pas telave me gjemba dhe gardhit metalik, ndërsa ka edhe autoblinda të njësive speciale të Policisë së Kosovës.

Në rrjetet sociale gjatë natës u përhap lajmi se kryetari i sapoemëruar, Lulzim Hetemi është larguar nga ndërtesa e komunës.

Protesta në Zveçan, situata e qetë

Në Zveçan vijojnë protestat, por situata duket e qetë.

Kryesisht në protestë janë duke marrë pjesë gratë, që janë të punësuara në sektorin e edukimit.

Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 26 Majit në komunat e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.