Lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickovski paralajmëroi se pas konsultimeve me grupin parlamentar do të vendosë lidhur me ofertën e Kryeministrit Zaev për zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Lideri i opozitës tashmë i bëri të ditur tri kushtet, pa të cilët vlerëson se zgjedhjet nuk do të jenë të rregullta.

Kërkohet qeveri sipas “Modelit të Përzhinës” 100 ditë para zgjedhjeve, dorëheqje të Prokurorit Publik dhe zgjedhjen e një prokurori të ri me propozim të opozitës dhe formimin e një komisioni parlamentar për referendumin.

Pikërisht këto kushte duhet të marrin përkrahje nga organet e larta të opozitës maqedonase dhe të njëjtat duhet t’i propozohen Komitetit Qendror Partiak, mbledhja e të cilit është caktuar për nesër.

Ndërkohë pozita dhe opozita përgënjeshtrojnë se janë duke zhvilluar bisedime sekrete për përkrahje të ndryshimeve kushtetuese.

Përfaqësues të lartë të qeverisë në disa media kanë shpalosur qëndrimin se në partinë LSDM nuk ka disponim që të binden deputetët e opozitës të votojnë për ndryshime të Kushtetutës dhe se më i sigurtë mbetet opsioni për zgjedhje të parakohshme, për shkak se siç thuhet, kërkesat e VMRO-DPMNE-së janë të papranueshme për shkak të afateve kohore.

Ndërkohë, burime të Klan Maqedoni nga BDI thanë se kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti beson se ende nuk janë shteruar të gjitha mundësitë e dialogut mes mazhorancës dhe opozitës maqedonase.

Mësohet po ashtu se ka përpjekje diplomatike për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi./Klan Maqedoni