Mes Bashkisë së Tiranës dhe Partisë Demokratike ka lindur një përplasje e re në distancë, sa i përket vrasjes së 17-vjeçarit, Ardit Gjoklaj.

Fillimisht këshilltari i PD-së në Bashkinë e Tiranës, Akil Kraja, ka denoncuar heshtjen e Erion Veliajt pas vrasjes në Landfillin e Sharrës, një territor jo vetëm nën përgjegjësinë ligjore të kryetarit të Bashkisë, por dhe një rast i pastër i korrupsionit dhe krimit shtetëror.

Sipas Krajës, në Landfillin e Sharrës, jo vetëm nuk funksion ligji, siguria teknike, siguracioni për punonjësit, por për më tepër aty po përfitohen miliona euro në një biznes të ngritur nga Erion Veliaj dhe një klient i tij, kreu i PS-së së Peqenit, njëkohësisht kreu i OSHEE-së në Peqin, Edurim Teqja, dhe aktualisht në kërkim nga policia për vdekjen e 17-vjeçarit.

Më vonë në një reagim nga Bashkia, theksohet në përfudnim të hetimit nga prokuroria, ky institucion do të zbatojë çdo përfundim, kërkesë apo rekomandim.

Reagimi i plotë i Bashkisë

Bashkia e Tiranës po ndjek me vëmendje hetimin e fatkeqësisë në Sharrë dhe mbështet punën e organeve ligjzbatuese të përfshira në ngjarje. Në përfundim të hetimit do të zbatojmë çdo përfundim, kërkesë apo rekomandim të organeve përkatëse.

Territori i landfillit në Sharrë përfshin disa hektarë sipërfaqe në periferi të Tiranes, të cilat në 4 vitet e fundit degjeneruan në një fushë-betejë për grumbulluesit e mbetjeve. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, po projekton landfillin e ri, për të rikuperuar gjendjen e mjerueshme të viteve të fundit. Deri në atë fazë, vazhdojmë t’u bëjmë thirrje qytetarëve të mos afrohen në zona të ndaluara, e ku punohet me mjete të rënda.

Por, si në çdo fatkeqësi, aksident apo çdo moment të pafat, është gjithmonë një parti e fatkeqësive historike të këtij qyteti e vendi, që mundohet të shfrytëzojë çdo situatë për përdorim e kapital politik. Kjo është e shëmtuar, vulgare dhe aspak shqiptare, si normë e si kod moral. Nëse për landfillin që Partia Demokratike e la të degjeneronte në 4 vjet, është gjetur një zgjidhje e do nisë puna, për landfillin politik të përdorimit të vdekjes si poster partie, zgjidhja duket e pamundur.

Ndërkaq, kompania publike e pastrimit e Bashkisë së Tiranës me Bashkinë e Veronës nis punë në 26 Shtator dhe ende s’ka kryer asnjë operacion në Tiranë, ndaj dhe akuzat e pabaza e kalërimi mbi vdekjen thjesht shtojnë përbuzjen për një parti që as pastrim nuk bëri, as landfill nuk zgjidhi e asnjë orë pune nuk kreu për qytetin e Tiranës.

Qytetarët e dinë mirë se Tirana ka humbur boll nga një forcë politike e cila e la në një gjendje katastrofike. Partia Demokratike i përket së shkuarës së Tiranës tonë, të cilën prej një viti e kemi kthyer në punë, e po merr jetë me investime e projekte konkrete në çdo lagje./tvklan.al