“Shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje”

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar këtë të martë për vrasjen e Klodian Rashës nga një efektiv policie. Ai i shpreh ngushëllime familjarëve dhe shoqërisë ndërsa thotë se i ka ndjekur me vëmendje protestat që janë nxitur nga kjo ngjarje e rëndë.

Sipas Kurtit, drejtuesit politikë dhe shtetëror, ata të bizneseve dhe mediave duhet të kuptojnë në këtë moment se shumë gjëra që janë bërë deri më sot kanë prodhuar një zhgënjim të maadh.

“Janë zhgënjyer qytetarët tanë, rinia jonë, siç janë zhgënjyer edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë interes në forcimin e shqiptarëve”.

Sipas Kurtit revolta e të rinjve jep mesazhin se shqiptarët nuk mund të jetojnë më me këtë lloj sistemi politik dhe ekonomik korruptiv.

“Revolta rinore mund të mos ketë patur fjalime të sofistikuara mirëpo ajo foli e po flet qartë. Bashkë me fenomenin tjetër, emigrimin masiv, këto revolta po japin mesazhin se shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë më me këtë lloj sistemi politik dhe ekonomik korruptiv, që shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje”.

Kurti shkruan se edhe Kosova ndodhet në të njejtën pikë, por aty nuk ka shpërthyer ende revolta.

“Sigurisht, me angazhimin e shqiptarëve, e sidomos të rinjve, edhe në Shqipëri do të mundësohet rikthimi i shpresës, e ndryshimi i rrugës, larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit. Shqipëria ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo”.

Kurti e mbyll postimin e tij duke shkruar se, “Drejtësi për Klodianin do të thotë drejtësi e demokraci e mirëfilltë për Shqipërinë”./tvklan.al