Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të Mërkurë në Elbasan, ndërsa një person ka mbetur i vdekur. Pjerin Xhuvani është vrarë me armë zjarri dhe katër të tjerë janë plagosur, përfshirë efektiven e forcave “Shqiponja”, Xhensila Sota.

Gazetari Fatos Salliu raporton për Klan News se sipas informacioneve fillestare, konflikti ka ndodhur në çast pasi strukturat e PD-së dhe policia kishin pikasur një automjet që dyshohet se po shpërndante para për fushatë.

Shkëmbimi i zjarrit ka nisur në momentin që makina nuk i është bindur urdhërit të policisë për të ndaluar.

“Sipas raportimeve fillestare që kemi, ka qenë një automjet i cili është pikasur si i dyshuar se po shpërndante para. Pas një angazhimi të strukturave të Partisë Demokratike dhe Policisë së Elbasanit, që kanë arritur në vendngjarje, kanë tentuar të paralizojnë automjetin dhe aty pastaj ka pasur shkëmbim zjarri pasi personat nuk i janë bindur urdhërit të policisë. Mendohet se aktualisht është një punonjës policie i lënduar dhe tre persona të tjerë të plagosur. Ende nuk kemi një konfirmim zyrtarë të asaj çfarë ka ndodhur. Edhe burime të PD konfirmojnë që ka qenë një automjet që dyshohet se po shpërndante para. Është një punonjëse policie e cila ka mbetur e plagosur. Personi i shtrirë në tokë konfirmohet që është i vdekur dhe dyshohet se është Pjerin Xhuvani, ish-kryetari i LSI-së në Elbasan”, raporton Fatos Salliu.

Pjerin Xhuvani ka qenë i përfshirë edhe në incidentin mes simpatizantëve të opozitës dhe mazhorancës në Ditën e Verës, më 14 Mars në Elbasan. Xhuvani ka qenë drejtues i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Elbasan ndërsa ka qenë edhe kandidat i kësaj force politike për deputet. Ai u largua nga kjo parti pasi u arrestua në vitin 2015 për abuzim me barnat. 

Në atë kohë ai u ndalua teksa ishte drejtor i Fondit të Kujdesit Shëndetësor për Tiranën. Xhuvani u dënua fillimisht me 3 vite burg, por më pas u lirua me kusht në Korrik të vitit 2016. Skandali i abuzimit me rimbursimin e barnave, ishte një skandal që kapte vlerën 420 mijë eurove.

Klan News