Policia vijon punën për kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes

Lajm i përditësuar: Pak kohë pas raportimit të ngjarjes së ndodhur në Sarandë, ku një person mbeti i vrarë me mjete prerëse, policia ka bërë të mundur identifikimin e viktimës, si dhe të autorit të dyshuar. Kështu në një njoftim të dytë për mediat, autoritetet thonë se viktimë nga kjo ngjarje ka mbetur 41-vjeçari nga Tepelena, Klodian Bakia. Sa i përket autorit, ai dyshohet se është Xhanelo Tarja 24-vjeç, i cili është shpallur në kërkim.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, është bërë i mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit Xh. T., 24 vjeç, banues në Laç. Shtetasi Xh. T, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, në lagjen nr.1, Sarandë, ka goditur me mjete prerëse shtetasin K. B., 41 vjeç, banues në Tepelenë, i cili si pasojë e dëmtimeve të marrë, ka ndërruar jetë në spitalin e Sarandës”, thotë policia, e cila shton se vijon puna intensive për kapjen e 24-vjeçarit.

Po ashtu, policia thotë se po punon edhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë ngjarje si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të saj.

41-vjeçari mbeti i plagosur rreth orës 18:30 të kësaj të mërkure, në lagjen Nr.1, të Sarandës. Ai u dërgua në spital për ndihmë mjekësore, por nuk mundi t’i mbijetonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë./tvklan.al