Vuçiç: Mund të mos ketë takim në Paris

Vuçiç: Mund të mos ketë takim në Paris

09:30 11/06/2019

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se “është shumë e mundur” e “gati e sigurt” se nuk do të ketë takim të Parisit. Në këtë takim, më 1 dhe 2 korrik, pritet të mblidhen udhëheqësit e Kosovës dhe të Serbisë, nën organizimin e kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

“Ky është mendimi im, do të shohim nëse kam të drejtë. Ne gjithsesi do të shkojmë nëse jemi të ftuar”, tha Vuçiç në një takim në Parlamentin e Serbisë. “Druaj se vlerësimi im është i saktë, por shpresoj të gaboj. Mungesa e një zgjidhjeje nuk duhet të jetë kapsulë për të krijuar ndonjë lloj konflikti”, shtoi Vuçiç.

Takimi i Parisit është cilësuar si shans për të shpëtuar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Ky proces është ndërprerë qëkur Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar. Vuçiç ka thënë se dialogu nuk do të vazhdojë derisa Kosova nuk e heq taksën.

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Haradinaj, ka thënë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën.

Edhe më herët, gjatë ditës së hënë, Vuçiç tha se nuk është i sigurt nëse takimi në Paris do të mbahet.

“Jemi gati për këtë takim, por nuk mendoj se dikush dëshiron të dëgjojë edhe një herë se si dikush nuk do ta anulojë taksën”, tha presidenti serb në një takim me zëvendësndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, Mathew Palmer./REL

Të ngjashme
UKT