“S’ka negociata pa miratimin e marrëveshjes së 5 Qershorit”

Zv/kryetari i grupit të CDU-CSU-së në Bungestagun gjerman, Johann Wadephul i kërkon mazhorancës dhe Kuvendit të Shqipërisë që të votojë pa asnjë ndryshim draftin e Kodit Zgjedhor të dakordësuar në mes palëve në Këshillin Politikë.

Në një deklarate të shpërndarë nga “Conrad Adenauer”, Wadephul thekson se ndryshimet e planifikuara kushtetuese shkatërrojnë Reformën Zgjedhore dhe bëjnë të pavlefshëm konsensusin e arritur më 5 Qershor.

“Të dyja këto ndryshime, nëse do të miratohen nga Parlamenti, do të ishin një shkelje serioze e marrëveshjeve të 5 qershorit dhe 14 janarit. Ndryshimi kushtetues për më tepër do të minonte tërë reformën zgjedhore dhe kështu do ta asgjësonte atë. Kjo do të vendoste parlamentin shqiptar dhe shumicën qeverisëse, përfshirë Kryeministrin, kundër vendimit të të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Europian, të marrë në Mars të këtij viti”.

Për më tepër, sipas numrit dy të grupit parlamentar qeverisë gjermane, kjo do të ishte një shkelje e jashtëzakonshme e besimit ndaj BE-së, OSBE-së dhe aktorëve të tjerë ndërkombëtarë që u angazhuan në këtë marrëveshje, si dhe do të vinte në pikëpyetje rrugën europiane të Shqipërisë.

“Bundestagu gjerman nuk do të aprovojë konferencën e parë ndërqeveritare dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit, për aq kohë sa nuk miratohet marrëveshja e 5 Qershorit nga Parlamenti pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që minojnë këtë marrëveshje”.

Ndaj për të shmangur këtë, ai i bën thirrje Kuvendit shqiptar që të heqë dorë nga ndryshimet e planifikuara kushtetuese dhe të miratojnë sa më parë draftin e miratuar me konsensus në Këshillin Politikë.

Tv Klan