“Nuk heqim dorë nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor”

Kryeministri Zoran Zaev gjatë ditës së sotme njoftoi se emri i kryeministrit teknik do të dihet në fund të javës së ardhshme, pasi të premten e ardhshme do të mblidhet Bordi Qendror i LSDM-së.

“Të premten e ardhshme do të kemi mbledhje të Këshillit Qendror, kërkojmë të na kuptoni sepse bëhet fjalë për marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës për formimin e qeverisë teknike, zgjedhjen e kryeministrit teknik që do të jetë në këtë pozicion 100 ditë, nga 3 Dhjetori deri në formimin e qeverisë së re. Periudha që pason do t’i zgjedhim personat dhe do t’i bëjmë publik emrat”. 

Ndërkohë i pyetur rreth ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe dorëzimit të numrit të madh të amendamenteve, Zaev u shpreh i prerë se nuk do të tërhiqet nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor pavarësisht numrit të amendamenteve.

“Ne nuk tërhiqemi, ne jemi partnerë me të gjithë dhe kjo është një çështje që duhet ta bëjmë për vendin tonë, propozimi vjen nga partitë më të vogla, por në korrelacion me programin tonë zgjedhor të vitit 2016, as që duam, as kemi të drejtë, e as që duam të heqim dorë, unë jam i vetëdijshëm se me një numër kaq të madh të amendamenteve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së kjo është një mision i pamundur, por kjo jep mundësi edhe për dialog, për bisedime dhe për gjithçka”.

Ndërkaq, sa i përket Ligjit për Gjuhët dhe rreth asaj se nëse është e saktë se është kërkuar shtyrje e mendimit, sepse kjo mund të ndikojë në rezultatin zgjedhor, Zaev njoftoi se qeveria asnjëherë nuk ka kërkuar shtyrje të publikimit të mendimit të Komisionit të Venecias për Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Ai potencoi se Komisioni i Venecias “në mënyrë plastike dhe të thjeshtë” i jep argumentet e veta dhe i ka përshëndetur hapat e ndërmarra, të cilat madje janë edhe më të mëdha nga vlera evropiane, por na rekomandon të kemi kujdes, sepse nuk kemi “kapacitet”.

Tv Klan