Për kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, refuzimi i opozitës për të mbështetur marrëveshjen me Greqinë në parlament, në bazë të rezultatit të referendumit të 30 shtatorit ka vetëm qëllime politike. Të parën intervistë pas referendumit, Zaev e dha për një televizion boshnjak ku tha se qëllimi i vetëm i VMRO-DPMNE-së është të rikthehet në pushtet.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë:

Nëse kreut të opozitës, i cili bojkotoi referendumin, i kërkohet të thotë “PO” për NATO-n dhe BE-në besoj se patjetër do e bënte. Ai dëshiron vetëm të kthehet në pushtet, por me aspirata të tilla rrezikon të ardhmen e vendit tonë.

Për Zaevin zgjedhjet janë të pashmangshme, nëse opozita nuk pranon për interesat e saj politike të pranojë ndryshimet kushtetuese.

Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë:

Ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar shumicën e nevojshme në parlament për ndryshime kushtetuese. Megjithatë, nëse opozita përpiqet të pengojë të ardhmen e Maqedonisë për interesa personale, zgjedhjet janë të pashmangshme.

VMRO-DPMNE e ka quajtur të manipuluar rezultatin e referendumit dhe këmbëngul se nuk do ta mbështesë marrëveshjen me Greqinë në parlament. Në këto kushte, nënkryetari i LSDM-së në pushtet Muhamed Zekiri ka hedhur idenë që partitë që mbështesin marrëveshjen të dalin me një listë të vetme në zgjedhjet e parakohshme, nën një koalicion Pro-Europian me synim sigurimin e më shumë se 80 deputetëve të nevojshëm për miratimin e marrëveshjes.

Tv Klan