Në kërkim 3 persona, arrestohet edhe i plagosuri

24 orë pas atentatit ndaj 54-vjeçarit Agron Puka në derën e shkollës së fëmijëve të tij në fshatin Rrilë të Lezhës, policia ka hedhur dritë mbi atë që ka ndodhur. Hetuesit kanë mundur të zbardhin motivet dhe autorët e krimit.

Policia thotë se pas hetimeve të kryera, administrimit të pamjeve nga kamerat e sigurisë në zonë dhe dëshmive të marra është zbuluar se autorë të atentatit me armë kanë qenë të rinjtë nga Talja, Vincens Tuku, 32 vjec, Amarildo Kola, 31-vjec dhe 18-vjeçari nga Shëngjini Kevin Ndoka.

Ata janë shpallur në kërkim. Në pranga është vënë edhe vetë i plagosuri pasi sipas policisë ai u është përgjigjur me armë agresorëve me një pistoletë që mbante me vete pa leje e cila është sekuestruar.

Agron Puka vijon të qëndrojë në spitalin rajonal të Lezhës ku është jashtë rrezikut për jetën. Edhe ndaj tij janë ngritur akuzat vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. 

Policia thotë se motiv i ngjarjes është një konflikt për motive të dobëta mes palëve. Policia thotë se 3 autorët i kanë prerë rrugën me makinë 54-vjeçarit dhe më pas kanë hapur zjarr ndaj tij.

Tv Klan