Një 54-vjeçar mbeti i plagosur me armë zjarri mëngjesin e kësaj të mërkure në Rrilë të Lezhës. Ngjarja ka terrorizuar banorët pasi ndodhi pranë një shkolle, pasi i plagosuri Agron Puka, la fëmijët aty.

Një dëshmitar është shprehur për kamerën e Klan News se breshëria e të shtënave u kujtoi vitin 1997. Për shkak të frikës, ai ka marrë fëmijët nga shkolla ditën e sotme.

“Normal që janë frikësuar fëmijët. Kriste automatiku si me qenë ’97 këtu. Çfarë është ai muhabet. Ky djali që e kanë plagosur është njeri i rregullt, familjar shumë i rregullt. Fëmijët ndjehen të tmerruar”, u shpreh një banor.

Ndërsa një fëmijë tregoi të gjithë dinamikën e ngjarjes e parë nga vetë ai nga klasa ku po mësonte.  

“U ndalën këtu, një Audi i bardhë. Zbritën. Kanë rënë plumbat përtokë. Audi ka shkuar atje është kthyer tek karburanti dhe ka ardhur me dyer të hapura dhe janë futur në makinë e kanë ikur”, u shpreh ai./tvklan.al