Policia e Lezhës ka mundur që të zbardhë ngjarjen e djeshme që ndodhi pranë shkollës në Rrilë, ku ndaj Agron Pukës, 54 vjeç u derdh breshëri kallashnikovi. Në lidhje me këtë ngjarje janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 3 persona të cilët dyshohen për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Ata janë Vincens Tuku, Amarildo Kola dhe Kevin Ndoka.

“Për rastin u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasit Vincens Tuku, 32 vjeç, banues në fshatin Tale, Amarildo Kola, 31 vjeç, banues në fshatin Tale dhe Kevin Ndoka, 18 vjeç banues në Shëngjin”, njoftoi policia.

Në pranga ka rënë edhe vetë i plagosuri Puka. Nga hetimet rezultoi se ai ka qëlluar në drejtim të 3 personave në fjalë me një armë që e kishte pa leje.

“Në vijim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Agron Puka, 54 vjeç, banues në fshatin Rrilë, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi nga hetimet rezultoi se ka qëlluar në drejtim të 3 shtetasve, me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante pa leje”, njoftoi policia.

Pistoleta e 54-vjeçarit u gjet dhe u sekuestrua nga shërbimet e policisë bashkë me municion luftarak.

Uniformat blu thonë se shkak i ngjarjes është një konflikt i mëparshëm për motive të dobëta. Burime nga policia thanë se ky sherr dyshohet të ketë ndodhur pak ditë më parë në qytetin e Lezhës, ku Puka është konfliktuar me një person tjetër të cilin e ka goditur me sende të forta (Lexo më shumë).

Për këtë arsye, ditën e mërkurë, para shkollës 9-vjeçare në Rrilë të Lezhës, 3 personat e shpallur në kërkim i zunë pritë Pukës. Pavarësisht të shtënave të shumta Puka mori dy plumba në krah dhe në shpatull. Policia thotë se ai gjendet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Kjo ngjarje mund të kishte pasoja edhe më të rënda. Ajo ndodhi në një moment ku zona ishte e populluar, sidomos me nxënës që frekuentojnë shkollën në fshatin Rrilë (Lexo më shumë)./tvklan.al