Barcelona nuk do të rikthehet në stadiumin “Camp Nou” në muajin dhjetor, ashtu siç ishte planifikuar më herët.

Sipas asaj që raporton media pranë klubit “Sport”, katalanasit do të rikthehen në stadiumin e tyre, në fillim të vitit 2025.

Për të dytin vit radhazi, Barcelona luan larg shtëpisë së saj, pasi stadiumi “Camp Nou”, i është nënshtruar një rikonstruksioni nga vera e vitit 2023.

Për këtë arsye, katalanasit janë detyruar të luajnë në stadiumin Olimpik të Barcelonës. Fillimisht u tha se skuadra do të rikthehej të luante në “Camp Nou” në dhjetor të 2024, por kjo nuk do të ndodhë.

Për shkak të punimeve, skuadra do të rikthehet në stadiumin e saj në fund të muajit Janar ose në fillim të muajit Shkurt.  

Kështu, ndeshja e parë në “Camp Nou” të rinovuar me siguri do të jetë ose kundër Valencias  më 26 Janar ose kundër Alaves më 2 Shkurt.

Kapaciteti i stadiumit në fazën e parë do të jetë i kufizuar në 65 mijë, pasi punimet do të vazhdojnë deri në vitin 2026. Kapaciteti përfundimtar do të jetë 105 mijë spektatorë. /tvklan.al