Seanca, në vigjilje të festës së pavarësisë

Në vigjilje të 110- vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës do të zhvillojnë një seancë të përbashkët parlamentare. Takimi i ligjvënësve do të bëhet në Tiranë, të dielën e 27 Nëntorit, ndërsa protokollet respektive kanë përcaktuar edhe axhendën e përbashkët të kësaj seance.

Mbledhja do të nisë në orën 10:00 me fjalën e mirëseardhjes të kryeparlamentares së Shqipërisë, Lindita Nikolla dhe pas saj do të përshëndesë takimin edhe homologu i saj nga Kosova, Glauk Konjufcka.

Më pas do të jetë radha e dy kryeministrave, Edi Rama dhe Albin Kurti për t’iu adresuar seance dhe pastaj me radhë do jenë edhe drejtuesit e grupeve parlamentare.

Në axhendën e dakordësuar bie në sy fakti se në listën e diskutantëve nuk është përfshirë asnjë nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Mbledhja do jetë protokollare dhe pritet të zgjasë afro 2 orë.

Zhvillimi i këtij takimi u propozua nga kryeministri Edi Rama në Qershor të këtij viti, në mbledhjen e dy qeverive me argumentin se 28 Nëntori të bëjë bashkë dy shtete njëkombëshe nëpërmjet një Kuvendi të përbashkët.

Konkretizimi i këtij vendimi u bë gjatë një vizite zyrtare në Tiranë të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, i cili pas takimit Lindita Nikollën njoftoi vendimin se parlamentarët e të dy shteteve do të mblidhen në ditën e festës së Pavarësisë.

Tv Klan