“Marrëveshje me Lulzim Berishën për njërën ngjarje”

Luftar Reçi, një i dënuar për vrasje, është personi kyç që ka ndihmuar Prokurorinë e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit në zbardhjen e atentateve ndaj biznesmenit Vajdin Lame dhe Klodian Saliut, në Shkurt të vitit 2005, ku mbetën të vrarë 4 persona.

Ai ka dëshmuar me vullnet të lirë para prokurorëve, pa përfituar statusin e të penduarit, duke dhënë detaje për të dyja ngjarjet.

Në dosjen e siguruar nga Tv Klan, Luftar Reçi tregon se ai ka qenë vetë pjesëmarrës në ekzekutimin e Klodian Saliut mbrëmjen e 26 Shkurtit, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të Maminasit. Ia kishte kërkuar këtë Lulzim Berisha.

Në fillim të muajit Shkurt të vitit 2005 kam takuar në Tiranë Lulzim Berishën..Ishte ora 01:00 dhe erdhi Luli së bashku me Lentin (Plarent Dervishi) dhe Indritin (Indrit Taulla). Gjatë takimit Luli më ofroi një marrëveshje, sipas të cilës unë duhej të vrisja shtetasin Klodian Salihu dhe ai në këmbim do të vriste hasmin tim. Ata më thanë se Klodian Saliun e kishin kundërshtar dhe kishin frikë se mos i vriste.”

Reçi ka treguar përballë hetuesve përgatitjet për të realizuar atentatin dhe si ndodhi ekzekutimi.

Unë Lenti dhe Indrit filluam të bëjmë prova për vrasjen e Klodian Saliut. Vendosëm që vrasja të realizohej kur Klodi shkonte të takonte… në Tiranë. Një javë rresht kemi pritur që të kalojë me makinë. Diku mes Vorës dhe Durrësit i jemi afruar paralel me automjetin që drejtonte Klodi dhe nga dritarja e BMË-së kanë qëlluar me armë në drejtim të Klodit, Indriti me pistoletë dhe Lenti me skorpions. Pasi makina e tij përfundoi në kanal Indrit bërtiti me të madhe “mbaje o lal”. Hapa krahun, Indrit i është afruar benzit dhe ka qëlluar Klodin tre herë me pistoletën me mulli. Indrit i ka thënë pasagjerit se nëse donte të shpëtonte të mbyllte gojën”.

Emrat e Lulzim Berishës, Plarent Dervishit dhe Indrit Taullait përmenden si organizatorë të vrasjes edhe nga e ish-dashura e Klodian Saliut, në një dëshmi të dhënë për prokurorinë.

Për vrasjen e Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, vetëm 1 ditë më vonë, në mbrëmjen e 27 Shkurtit, Reçi bën po ashtu përgjegjës grupin e Lulzim Berishës, ndërsa organizator Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin. Ai thotë se kishte siguruar minën me telekomandë dhe kishte marrë pjesë në përgatitjen e saj deri në dorëzimin te Emiljano Shullazi.

“Në Shkurt të 2005, besoj nga mesi i muajit, më ka telefonuar Lul Berisha. Ai ma tha; më gjej dhe mua nga ato ‘nëntat’ (kallëpë tritoli). Idriti më tha se ky tritol do të përdorej për një makinë, dhe ajo do të vendosjen pranë një mjeti tjetër. Por ky plan ndryshoi. Më pas erdhi Indrit me një pako me C4. Unë pash se minën Indriti ia dha Shullazit.”

Luftar Reçi tregon se i kishte telefonuar të nesërmen Lulzim Berishës, pasi kishte marrë vesh ngjarjen nga mediat, se si e kuptoi që mina kishte qenë për të vrarë Vajdin Lamen dhe mënyrën se si është përfshirë në këtë ngjarje Viktor Ymeri.

“Menjëherë kam telefonuar Lulin dhe i thashë si u bë kjo punë kështu. Luli më tha: “O lalë, jam larg. Këto janë punë Indriti (për Indrit Taullain). Kur të vij do flasim. Në bisedë tavoline është thënë nga Indriti me mburrje se “P… e madhe e bëmë copë copë”. Në njërën prej bisedave gjatë takimeve tona u tha se Viktor Ymeri (nga burgu) kishte gjetur personin që do ta vendoste bombën mu pas qafe, në dialekt dibran që të qeshja unë. Indriti tha se Tori ka gjetur njeriun e duhur. Në vitin 2013, në burgun e Peqinit, Viktor Ymeri më ka thënë se “edhe kur u vra Vajdini unë nga burgu i gjeta njeriun që e mbaroi punën e vrasjes së Vajdinit, se ata nuk ia kanë haberin dhe dinë vetëtm të hapen b…”

Në dëshmi ka edhe shumë emra të tjerë të personave që janë përfshirë në sigurimin e telefonave dhe kartave të tyre apo të mjeteve të tjera për vrasjet.

SPAK ka lëshuar 6 urdhëra arresti për Emiljano Shullazin, Lulzim Berishën, Plarent Dervishin, Indrit Taullain, Viktor Ymerin, Luftar Reçin dhe Indrit Rusin. Në kërkim ndërkombëtar janë shpallur Lulzim Berisha, i cili dyshohet se është në Gjermani dhe Plarent Dervishi.

Tv Klan