Si i vrau 40-vjeçari ish-bashkëshorten e partnerin e saj

Ky është Flonino Mërkuri, 23-vjeçari i cili u masakura dhe u vra me thikë natën e të dielës në qytezën Spinea pranë Venecias, së bashku me partneren e tij 37-vjeçaren Mynevere Myrtaj. Vrasja u krye nga ish-bashkëshorti i Verës, 40-vjeçari Viron Karabollaj i cili u vetëvra në ambientet e kësaj magazine ku punonte.

Në fshatin Grykë të Fierit familja Merkuri ka hapur dyert e mortit, ndërsa të afermit tregojnë se mes autorit dhe 23-vjeçarit nuk ka pasur konflikte të mëparshme.

Mediat italiane kanë publikuar detaje të tjera të tragjedisë që tronditi Venecian, por edhe opinionin publik në Shqipëri.

Ishte vajza 15-vjeçare që zbuloi tragjedinë. Pasi ishte kthyer nga një festë me miqtë zbuloi trupin e pajetë të 23-vjeçarit Mërkuri në garazhin e kësaj banese ku ajo jetonte me të ëmën dhe motrën 13-vjeçare të paralizuar, e cila ndodhej në atë kohë tek gjyshja.

Vajza njoftoi policinë pasi nuk po lidhej dot në telefon me të ëmën, trupi i të cilës u gjet më pas pa jetë në katin e parë të shtëpisë. Ndërsa ai i të atit, autorit të masakrës, u gjet nga policia një orë më vonë. Fqinjët thonë se Vera ishte një vajzë shumë e sjellshme, ndërsa shprehen të shokuar për krimin.

Në trupin e Flonino Mërkurit u gjetën edhe shenja dhune, veç atyre të prerjes me thikë, çka tregon se 23-vjeçari mund të jetë përleshur me ish-bashkëshortin e partneres.

Me Viron Karabollajn, Vera Myrtaj e lindur në Vlorë kishte mbi 1 vit e divorcuar. Së bashku kishin ardhur nga Greqia në Itali prej 2015-ës dhe ishin vendosur në banesën ku ndodhi tragjedia. Por me të ardhur në Itali, marrëdhëniet e tyre u ftohën dhe Vironi ishte larguar nga shtëpia. Prokurorët në Venecia thanë se ai e kishte planifikuar krimin, pasi nuk e pranonte lidhjen më shumë se 1-vjeçare të ish-bashkëshortes dhe nënës së fëmijëve të tij. E gjendur në vështirësi financiare, vitet e fundit Vera punonte si estetiste në shtëpi.

Tv Klan